Fuqia jonë, të ndërtojmë Vlera ...

Farkëtarë të risive, profesionistë të orientuar me ide të fokusuara drejt prurjeve të reja, punojmë nën kredon e përbashkët për të prodhuar përmbushje e sukses për ekspozuesit, kohë cilësore për vizitorët profesionistë, vlera dhe mite për Shqipërinë. Zëri përcjellës i metamorfozave të zhvillimit të vendit dhe lajmëtar i arritjeve të rëndësishme ekonomike e sociale. Risitë ngjallin kureshtje, dhe si një risi iu prezantua sipërmarrësve dhe investitorëve ndërkombëtarë Shqipëria e 1994,një treg i sapoçelur e në zhvillim të beftë, në Panarin e parë Ndërkombëtar në vend, organizuar nga Klik-iu Klik.

Rritemi ...

Nismëtarë të Panaireve që në ’94: Një shteg i ri hapet në atë kohë kur profanë të ekonomisë së tregut të lirë dhe nocioneve të marketingut, pionierët e sipërmarrjes shqiptare dhe të parët investitorë të huaj të guximshëm iu bashkëngjitën Panairit të Parë Ndërkombëtar në Shqipëri, për herë të parë në Tiranë, në Nëntor 1994, në Piramidën e kthyer në Qendrën Ndërkombëtare të Kulturës. 82 ekspozues u regjistruan atë vit, teksa trajektorja e edicioneve të ardhshme do të ngjitej në shifra gati të dhjetëfishuara.

Rrugëtojmë krenarë krah mbi 20.000 klientëve të besuar përgjatë afro 30 viteve, mbi 35.000 ekspozues të mbi 3.000 eventeve ndërkombëtare të formateve të ndryshme e të panumërta ato vendore, ndërkohë që numri i vizitorëve ndarë mes publikut të specializuar, pjesëmarrësve në konferenca, artdashësve në eventet kulturore, studentëve në workshopet formuese, tejkalon në tre dekada 1.5 milionë.

Filozofia jonë:

Organizmat Botërore, Partnerë dhe Ekspozues ndërkombëtarë, na kanë besuar logot e tyre për t’i dhënë krahë «shqiponjës» së Klik-ut, e vetmja që i jep shtysën e merituar rritjes së Industrisë së Panaireve në Shqipëri. KlikEkspoGroup është i Organizatori i vetëm anëtar i UFI – Organizata Globale e Industrisë së Panaireve përkrah 752 anëtarëve nga mbi 87 shtete. Klik Ekspo Group, është anëtar i përzgjedhur i CEFAs –Aleanca së Panaireve të Evropës Qendrore, e sot, aktivisht të përfshirë në networkun e industrisë së Panaireve Ndërkombëtare në Ballkan dhe Evropë.

KlikEkspoGroup përfaqëson Shqipërinë në hartën globale të UFI me të vetmin eveniment shqiptar që gëzon statusin e një Eventi të Aprovuar nga UFI - Tirana International Fair; të dhënat statistikore janë të certifikuara nga Instituti i Certifikimit të Statistikave të Panaireve, ISFCert Bologna (Standard Accredia). Accredia Standard.

Rrugëtim në Histori

1994

                  Klik”-u që duhej në 1994, kur Agjencia publicitare me emrin e thjeshtë dhe onomatopeik “klik!” me pasionin për fotografinë dhe kahjen drejt asaj që është e bukur e joshëse, me përvojën e organizimeve të Ekspozitave të Artit dhe Kulturës, konkurse Bukurie, Sfilata e Parada Mode, vendosi të organizonte të parën Ekspozitë Tregtare në Shqipëri, një Panair Profesional që bashkoi mbi 100 sipërmarrjet e para shqiptare, në një treg të sapokonturuar me rregullat e reja të Ekonomisë së Tregut të Lirë. Piramida siç thërritej Qendra Ndërkombëtare e Kulturës, priti ekspozuesit e parë në një sipërfaqe ekspozimi prej 4.000 m2.

1997

                     Të jesh i pari do të thotë të krijosh shembuj për t’u ndjekur: Panairi Ndërkombëtar i Klik Ekspo Group është i vetmi manifestim jetëgjatësia dhe vazhdimësia e të cilit është mbështetur në lindje dhe krijimtari të përvitshme edhe në ato periudha kur nga paqëndrueshmëria politike dhe zvetënimi i vlerave e pësonte drejtpërdrejtë imazhi i Shqipërisë: në 1997, Panairi i Ringjalljes, rimëkëmbi besimin tek institucioni “shtet”, dhe i tregoi syve ndërkombëtarë që Shqipëria është zhvillimdashëse përtej problemeve të saj të brendshme.

1998

                    Klik-u, është Enti i parë shqiptar që zgjon interesin e të mirënjohurës E.A. Fiera del Levante, Bari – Itali, drejt Shqipërisë, duke e zbarkuar pas përpjekjeve të shumta në realizimin e përbashkët të edicionit të parë të Fiera del Levantes në Tiranë më 1998, edicion për të cilin meritat e Klik-ut në pozitat e tij të partneritetit me Entin Puljez të Panaireve, janë të pamohueshme, mbështetur dhe nga fjala e mirëseardhjes së Presidentit të kohës, Francesco Divella, duke falënderuar përfaqësuesit e KlikEkspoGroup: Ia dolëm mbanë!

Që nga njohja si i Deleguar Zyrtar i Fiera del Levantes për Shqipërinë në 1998, deri në edicionin të 8-të të Fiera del Levante në Shqipëri, KlikEkspoGroup, ka ruajtur pozita të forta bashkëpunimi në eventet shqiptare të Entit italian.

1999

                       Më tej në kohë, në 1999, kur lufta dhe zhvillimet politike në Kosovë përbashkuan kahet në një mision të vetëm, Panairi Ndërkombëtar si emisar paqeje dhe zëdhënës i bujarisë gjenetike shqiptare, kthehet në platformën nga ku pasqyrohej kontributi dhe aftësia manaxheriale e qeverisjes së kohës dhe mbështetja kolosale e programeve dhe organizatave ndërkombëtare si United Nations, UNHCR, IOM, DFID, USAID, KFOR, ECHO, etj.

2010

                Rritemi Globalisht: Klik Ekspo Group & Tirana International Fair, anëtarësohet me të drejta të plota në UFI - Organizata Globale e Industrisë së Panaireve dhe Ekspozitave Tregtare. Krijuar në Milano në 1925 nga liderët e kohës në Industrinë e Panaireve si Vjena, Këln, Frankfurt, Lion, Milano, Paris, Padova, Praga, Valencia, Bruksel, Bordo etj. Me selitë e tij qendrore në Paris dhe ato rajonale ne Hong Kong, Dubai, Bogota, misioni themelor i UFI-t është krijimi i klimës së favorshme dhe të përkujdeset për mbarëvajtjen dhe zhvillimin e Industrisë e eventeve te mëdha te biznesit "ballë për ballë" (face-to-face).

2012

                      “Shpallja e Pavarësisë” nga ndërtesat tradicionale: një prej edicioneve më të arrira të Panairit Ndërkombëtar të Tiranës, përkuar me 100 Vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, për herë të parë në Tiranë, një Tendë Ekspozimi me një sipërfaqe mbi 10 mijë m2, me standarde të certifikuara dhe zërin e fundit të teknologjisë, u vendos në një nga sheshet identifikuese të kryeqytetit (Piazza Italia). Në këtë platformë unike, të paimagjinueshme 20 vite më parë, shifrat prekën kulme të ngjashme me mbi 800 ekspozues direkt, indirektë dhe të përfaqësuar, 70.000 vizitorëve, nga trevat shqiptare, Ballkani Perëndimor, Evropa, Azia etj.

“Smart like 20, Wise like 100” ishte slogani: Vetë Pavarësia mëkon rikrijimin, çliron shanse e mundesi te reja zhvillimi e përditësimi. Mençuria e të moçmes Shqipëri, rikrijuar si nje shtet i mevetesishem 100 vite me pare (28 Nentor 1912), i mbivendoset butë shkathtësisë së një 20 vjeçari dhe mprehtësisë se dy dekadave me koherencën r-evolucionare të më të mirëve.

2015

                    Klik Ekspo Group me profesionalizëm e përkujdesje artistike përmbushi me sukses Projektin e Konceptimit dhe Realizimit të Pavijonit të Shqipërisë në World Expo Milano 2015. Simbolika e Instilacionit “Mullirit të jetës”, konceptuar nga Kuratori Artistik, Mjeshtri Edi Hila, përcolli shumë kuptime të një realiteti kompleks që buron nga një histori e gjatë vështirësish dhe përpjekjesh për të mbijetuar. Një komb që ekziston sot e kësaj dite dinjitoz dhe që përpiqet të integrohet në dimensionet e kohës në të cilën jetojmë. (për më shumë mbi Pavijonin e Shqipërisë në Expo2015, klikoni këtu).

2023

                  Me vitet, konsolidohen partneritetet me simotrat ndërkombëtare, me të cilat ndajmë anëtarësime në organizatat botërore udhëzuese e udhërrëfyese të industrisë sonë, po aq sa dhe shpërndajmë njohuri, krijimtari, përvoja dhe ide. Sa e vërtetë është shprehja se "të gjitha rrugët të çojnë drejt Romës", po aq i fortë është dhe pakti i bashkëpunimit mes KlikEkspoGroup dhe Fiera Roma srl, që ka si qëllim të shohë te përmbushur misionin e nxitjes së komunikimit jo vetëm mes sipërmarrjes dhe institucioneve qeverisëse, por mbi të gjitha të krijojë lëvizje dhe konsonancë mes popujve: dy kryeqytete, Roma dhe Tirana, pika referimi për dy skajet e një Zone gjeografike të lakmueshme për nga diversiteti dhe shumëllojshmëria, i sjellin ekspozuesit më pranë organeve vendimmarrëse duke u ofruar panoramën më të qartë ekonomike e sociale, të incentivave dhe programeve lehtësuese qeverisëse, u bëjnë vend strategjive të zhvillimit të ndërsjella ne sektorë prioritarë si Turizmi, Energjetika, Bujqësia, Shëndetësia, Siguria, Arsimit, unifikimit të tregjeve duke e zgjeruar konceptin lokal ne atë rajonal e me tej global. Mbi këtë terren idesh dhe kreativiteti të ndërsjellë, në bashkëpunim me Fiera Roma do të organizohet në Romë, edicioni i parë i transferueshëm (itinerant) i Global International Defence and Security Exhibition një trademark unike e KlikEkspoGroup në sektorin e Mbrojtjes dhe Sigurisë, evenimenti kult që u shfaq në horizontet e Ballkanit Perëndimor që në vitin 2009, me anëtarësimin e vendit në NATO dhe që e zbuloi Shqipërinë në tërësinë e saj si faktor gjeopolitik por dhe shtyllë gjeoekonomike për mbarë Rajonin.

sqSQ